Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku nënshkruan sot një memorandum për financimin e projekteve infrastrukturore në komunën e Podujevës.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të Veliut i cili ndër të tjera tha se ky memorandum ka të bëjë me financimin e projekteve të infrastrukturës rrugore të komunëssë Podujevës me disa lokalitete si dhe një rrugë që e lidhë pjesën e liqenit e Batllavës me territorin e komunës së Prishtinës.

“Vlera e financimeve që do të bëhen për dy vjet është 2 milion e 300 mijë euro, këto janë projekte që financohen nga ministria por ceshtja e procedurave dhe mbikqyrjes së projektimeve janë obligim i komunës”-shtoi Veliu.

Projektet që do të realizohen në bazë të këtij memorandumi përfshijnë asfaltimin e rrugëve në fshatrat Dobërdol, Majac, Kushevicë, Batllavë-Dyz dhe Herticë-Surdullë, pastaj, asfaltimin e rrugës Ballaban-Orllan dhe asfaltimin e rrugëve në qytetin e Podujevës.

Përpos këtyre, Veliu theksoi edhe projektin e rrugës Podujevë- Merdar i cili është i gatshëm dhe planifikohet të kryhet me këtë financim.

“Një prej rrugëve që është e rëndësisë dhe planifikojmë me këto mjete t’a kryejmë është rruga që e lidhë Podujevën me Merdarin, është një rrugë që ka qenë e projektimit të Komunës për disa buxhete, mirëpo, për shkak të shumës edhe kostos që ajo rrugë e kërkon, na është dasht që t’a heqim prej buxheteve, kështu që na u ka kriju mundësia tash me këtë investim të ministrisë ta përfundojmë edhe atë rrugë.” –tha ndër të tjera Veliu.

Gjithashtu, Veliu tha se është punuar shumë dhe do të vazhdojë të punohet për asfaltimin e rrugëve që lidhin fshatrat me qytetin e Podujevës si dhe për rrugë nëpër lokalitete. /Llapi.info

veliu 1