Biznese në Podujevë, por edhe klube tjera në Kosovë, kanë nisur mobilizimin për t’i paguar qindra bileta për tifozë llapjanë dhe jo vetëm – në ndeshjen kthyese ndaj FK Budućnost Podgorica, e cila zhvillohet të enjten në “Fadil Vokrri”, shkruan Llapi.info.

Së fundi, kampioni në fuqi, Ballkani dhe KF Drenasi kanë mbështetur Llapin me qindra bileta për tifozët. Kështu ka njoftuar klubi nga “Zahir Pajaziti”.

“Falënderojmë klubin e FC Ballkani në krye me Presidentin, Z. Arsim Kabashi i cili shprehi gatishmërinë t’i ndihmoj KF Llapi dhe tifozerisë “Ultras Legjendat” me 100 bileta në Sektorin e Lindjes. Shembull si ky i FC Ballkani dhe Presidentit Z. Arsim Kabashi duhet ndjekur nga të gjitha klubet tona që të mbushim Stadiumin “Fadil Vokrri”, në përkrahje të KF LLAPI dhe t’iu tregojmë të gjithëve se ne së bashku jemi të pathyeshëm”, thuhet në postim.

“Kryesia e KF Drenasit merr vendim për të mbështetur KF Llapin me 100 bileta në sektorin veri në ndeshjen kthyese e cila zhvillohet me 14 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri”  KF Llapi – FK Budoćnost Podgorica. I bëjmë thirrje edhe klubeve tjera që të jemi të bashkuar për të stërmbushur stadiumin “Fadil Vokrri” dhe për të ju treguar malazezëve se nuk luhet me ndjenjat e popullit shqiptare”, thuhet në komunikatën e KF Drenasi./Llapi.info