Një mosmarrëveshje mes tre personave në një fshat të Podujevës ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe arrestimin e një 19-vjeçari.
Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 21:30, kur dy persona po lëviznin me veturë dhe një i ri u kishte bërë shenjë të ngadalësonin shpejtësinë, duke u kërkuar të kishin kujdes që të mos ia shkelnin qentë.
Sipas informacioneve të raportuara, situata është përshkallëzuar kur 19-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka repetuar. Njëri nga personat ka tentuar t’ia largojë armën, por gjatë përplasjes ajo është shkrepur.
Në deklarimin e tij para hetuesve, i dyshuari ka pretenduar se dy personat ia kishin goditur një qen me veturë dhe më pas kishin tentuar ta sulmonin. Ai ka deklaruar se armën e kishte nxjerrë për t’i frikësuar.
Gjatë hetimeve, Policia ka sekuestruar një pistoletë të tipit Zoraki, me tre fishekë.
Me vendim të prokurorit, 19-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të armës dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.






