Dhjetëra ankesa kanë arritur në adresë të Llapi.info për gjendje e rrugëve nëpër zona të ndryshme të Komunës së Podujevës, pas reshjeve të vazhdueshme të borës, shkruan Llapi.info.
Banorët e këtyre zonave kanë hedhur kritika në drejtim të kompanive për pastrimin e rrugëve nga bora, ndërkohë që në disa fshatra banorët kanë nisur vetë t’i pastrojnë.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë për Llapi.info se situata është nën menaxhim, ndërkohë që Komuna ka ngritur edhe shtabin emergjent.
“Situata në terren është e menaxhueshme, komuna përmes kompanive që i ka të kontraktuara për pastrimin e rrugëve janë duke punuar me kapacitet të plotë. Meqenëse borë ka rënë në vazhdimësi ne e kemi ngritur edhe shtabin emergjent për menaxhim të situatës dhe gjendja është nën kontroll”, ka thënë ai.
Më tej, Zhitia ka treguar për akset rrugore të cilat, sipas tij, janë me vështirësi kalimi.
“Situata më e vështirë e qarkullimit të automjeteve është në fshatrat Shtedim, Llaushë, Dumnicë e Epërme, Llapashticë e Epërme dhe në disa zona malore, por kompanitë janë duke punuar me kapacitet të plotë dhe deri sa të arrijnë të përfundojnë rrugët që janë duke i pastruar do të vazhdojnë të intervenojnë edhe në këto zona që qarkullimi i qytetarëve të lehtësohet”, ka thënë Zhitia.
Për gjendjen e rrugëve, Llapi.info ka pranuar dhjetëra ankesa edhe nga banorët e fshatrave; Gllmanik, Sfeçël, Bradash, Dyz dhe Balloc.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes, pasi që rrugët mund të jenë me ngrica./Llapi.info
Banorët e fshatit Shtedim të Podujevës po i pastrojnë vetë rrugët nga bora
Bora bllokoi një rrugë në Balloc të Podujevës, banorët lajmëruan edhe Policinë që s’u pastrua
Gjendja e rrugëve në Sfeçël të Podujevës, nuk kalojnë automjetet






