Xhengiz Rexhepi nga Maqedonia është emëruar trajner i Llapit, njofton Llapi.info
Kjo është bërë e ditur sot në një konferencë për medie e thirrur nga klubi llapjan. Prezantimin e tij e ka bërë drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina duke thënë se Rexhepi do ta ketë mbështetjen të gjithë llapjanëve.
“Nga sot trajner i Llapit do të jetë, Xhengiz Rexhepi, që do ta ketë mbështetjen e të gjithëve. Rexhepi vjen nga Maqedonia, duke parë objektivat e Llapit me ambicie të qarta që kërkon të jetë sa më lartë në tabelë. Kjo ka qenë arsye e kryesisë e bordit që të sjellim trajner të ri në skuadër. Kërkojmë që Llapi ditët në vijim të jetë skuadër shumë e madhe, duke ditur që nga kjo trevë është ardh legjenda Fadil Vokrri”, ka thënë Batatina.
Ndërsa, tashmë trajneri i Llapit, Xhengiz Rexhepi është shprehur i lumtur me ardhjen te klubi nga Podujeva. Ai ai tha se ka pasur oferta tjera nga klube kosovare, maqedonase si dhe jashtë Maqedonisë, por drejtuesit e Llapit ishin më këmbëngulës.
“Normal që për mu është nder të jem pjesë e klubit futbollistik Llapi, duke pasur parasysh se dita-ditës është duke u bërë një klub profesional. Për mua s’ka qenë e lehtë të vijë këtu sepse kam pasur edhe oferta nga klube tjera kosovare, në Maqedoni dhe jashtë Maqedonisë si ndihmës-trajner, por Llapi ka qenë më këmbëngulës ndaj meje. Ju premtoj se do të jap mbi maksimumin për të arritur rezultate sa më të larta me Llapin, por që kjo nuk do të arrihet pa ndihmën e kryesisë së klubit e tifozëve”, tha ai.
Ndryshe, klubi nga Podujeva dje ka njoftuar se kanë ndarë rrugët me trajnerin, Bekim Shotani.
Llapi do ta nis pranverën nga pozita e tretë me 35 pikë të tubuara, pesë më pak se lideri Prishtina./Llapi.info