Llapi dhe Drenica kanë barazuar 1-1 sot në kuadër të xhiros së gjashtë në Superligën e Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Mysafirët nga Drenica kaluan në epërsi qysh në minutën e 12’ me anë të Krashnik Ukës.

Llapjanët u kundërpërgjigjen menjëherë duke barazuar shifrat 1-1 në minutën e 16’, ku Kastriot Selmani realizoi pas gabimit të portierit drenicas.

Skuadra nga Podujeva pati mundësinë ideale për të kaluar në epërsi në minutën e 37’, por Valmir Veliu nuk u tregua i saktë. Me rezultatin 1-1 u mbyll pjesa e parë në Merdar.

Përkundër pjesës së parë, ajo e dyta nuk solli gola, duke bërë kështu që kjo ndeshjet të mbyllet në paqe (1-1).

Duhet theksuar se ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ende s’e ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion, ku ka barazuar tre herë dhe ka pësuar disfatë tre herë të tjera.

Me këtë barazim, Llapi ka vetëm tri pikë dhe radhitet në fund të tabelës, kurse Drenica ka 11 sosh dhe pozicionohet në vendin e tretë.

Në xhiron e radhës, Llapi do të ketë punë me Gjilanin, ndërkohë që Drenica pret Malishevën./Llapi.info