Lokale - eSIMy

Gjykata e Apelit ka shqyrtuar të mërkurën ankesat ndaj aktgjykimit me të cilin Arsim Syla u dënua me 22 vjet burgim për vrasjen e Valmir Breznicës, në marketin “Interex” në Podujevë.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Rrahim Ajeti, kërkoi ashpërsimin e dënimit në 35 vjet burgim ose burgim të përjetshëm, duke e cilësuar rastin si një prej krimeve më të rënda që kanë ndodhur në Kosovë.

Edhe Prokuroria e Apelit mbështeti ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar refuzimin e ankesës së mbrojtjes, shkruan IndeksOnline.

Në anën tjetër, avokati Besnik Berisha kërkoi lirimin e klientit të tij, duke pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është mbështetur në hamendësime dhe supozime.

“Po të hiqen nga aktgjykimi supozimet dhe hamendësimet, nuk do të mbetej asnjë rresht për të provuar fajësinë e të mbrojturit tim”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se mbrojtja nuk synon të relativizojë tragjedinë dhe dhimbjen e familjes së viktimës, por kërkon që vendimi të bazohet në standarde ligjore e jo në emocione.

Berisha propozoi që Apeli ta marrë vendimin përfundimtar dhe të mos e kthejë rastin në rigjykim.

I akuzuari Syla e mbështeti deklarimin e avokatit të tij.

Sipas aktakuzës, Syla dyshohet se kishte porositur djalin e tij të mitur që ta vriste V.B., për shkak të një konflikti të mëhershëm. Ngjarja ndodhi më 11 shtator 2023, në “Interex”, ku viktima u qëllua për vdekje me armë zjarri, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2026, e dënoi Sylën me 22 vjet burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”.