Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se po vazhdon ekzekutimi i pagesave direkte për fermerët përfitues të subvencioneve për vitin 2026.
Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së sotme, 11 nëntor, janë realizuar pagesa për 137 fermerë në sektorin e blegtorisë, në vlerë prej 233 mijë e 525 eurosh.
Ndërkohë, për sipërfaqet bujqësore kanë përfituar 1 mijë e 123 fermerë, me një shumë të përgjithshme prej 2 milionë e 299 mijë e 205 eurosh. Pagesa janë realizuar edhe për 55 biznese, në vlerë prej 348 mijë e 504 eurosh.
Në total, gjatë ditës së sotme janë ekzekutuar mbi 2.8 milionë euro për fermerët dhe bizneset përfituese.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka bërë të ditur se listat e përfituesve janë publikuar në faqen e saj zyrtare, ndërsa ekzekutimi i pagesave do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.
Sipas Ministrisë, në kuadër të programit të subvencionimit kanë aplikuar gjithsej 33 mijë e 460 fermerë.
Listat e përfituesve mund të gjenden në këtë adresë: https://azhbr-rks.net/sq/lista-e-perfituesve






