Gjykata e Apelit sot pritet të mbajë seancën e radhës ndaj Arsim Sylës, i dënuar me 22 vjet burgim për vrasjen e 34-vjeçarit Valmir Breznica në një supermarket në Podujevë.
Seanca e fundit, e paraparë të mbahej më 28 tetor, ishte shtyrë për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor të palës së dëmtuar, e cila ende nuk kishte angazhuar avokat të ri, shkruan IndeksOnline.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Skender Qoqaj, kishte bërë të ditur se avokatit që përfaqësonte më herët palën e dëmtuar i ishte marrë licenca nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).
Gjykata kishte njoftuar gjithashtu se ankesa e paraqitur në emër të palës së dëmtuar ishte hedhur poshtë si e palejuar, pasi avokati që e kishte ushtruar nuk posedonte licencë të vlefshme.
Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Arsim Sylës, nuk e kishte kundërshtuar shtyrjen e seancës, duke vlerësuar se palës së dëmtuar duhet t’i mundësohet ushtrimi i të drejtave të saj.
Ngjarja për të cilën Arsim Syla u dënua ndodhi më 11 shtator 2023, në supermarketin “Interex” në Podujevë, ku mbeti i vrarë 34-vjeçari Valmir Breznica.
Në momentin e sulmit me armë zjarri, Breznica ndodhej bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tyre katërvjeçar. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arsim Syla dyshohej se kishte nxitur djalin e tij të mitur, Lordi Syla, që ta vriste Breznicën për motive hakmarrjeje, pas një konflikti të mëhershëm.
Prokuroria pretendon se Arsim Syla e kishte orientuar të birin drejt viktimës, ndërsa i mituri kishte shtënë disa herë me armë zjarri.
Arsim Syla i ka mohuar akuzat, duke kundërshtuar pretendimet se kishte planifikuar apo nxitur vrasjen.
Më 26 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor Arsim Sylën dhe e dënoi me 22 vjet burgim.
Pas ankimimit të aktgjykimit, rasti kaloi në Gjykatën e Apelit, ku sot pritet të vazhdojë shqyrtimi i çështjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.






