Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy është shkarkuar nga posti pasi mocioni i mosbesimit ndaj tij ka kaluar në parlament.

Lideri socialist, Pedro Sanchez, që e ka nisur mocionin pasi partia e Rajoy u përfshi në një skandal korrupsioni, do të bëhet kryeministër.

“Ne do të shkruajmë një faqe të re në historinë e demokracisë në vendin tonë”, ka thënë Sanchez para votimit, transmeton Klan Kosova.

Rajoy kështu u bë kryeministri i parë në historinë moderne të Spanjës që rrëzohet me një mocion mosbesimi.

Sanchez siguroi 180 vota, duke marrë mbështetjen edhe të partive të vogla, përfshirë Partinë Nacionaliste Baske, ndërsa 169 deputetë ishin kundër, dhe një abstenim.

Rajoy, që drejton Partinë Popullore, ka mbajtur postin e kryeministrit të Spanjës që prej vitit 2011.

Ai ka qenë kundërshtar i fuqishëm i pavarëisë të Kosovës, ndërsa në Samitin e Sofjes vendosi të mos marrë pjesë sepse pjesë e tij do të ishte edhe Kosova.