Policia gjermane ka shpallur në kërkim publik 23-vjeçarin Albin Bejtullahu, shtetas i Kosovës nga Vushtrria, i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e një 15-vjeçari në qytetin Marsberg të Gjermanisë.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 19 shtator, rreth orës 20:30.
Sipas Policisë së Dortmundit dhe Prokurorisë së Arnsbergut, viktima 15-vjeçare ka pësuar plagë të rënda nga një mjet i mprehtë gjatë një përleshjeje dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Në të njëjtin incident, një 18-vjeçar nga Marsbergu ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar për trajtim në spital.
Autoritetet gjermane kanë publikuar fotografitë e dy personave të dyshuar, Albin Bejtullahut, 23 vjeç, dhe Alex Olntasit, 22 vjeç, të dy nga Hamm, të cilët aktualisht ndodhen në arrati, raporton Bild.
Për ta është lëshuar urdhër-arrest nën dyshimin për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.
Sipas hetimeve të deritanishme, përleshjes fatale i ka paraprirë një konflikt verbal mes dy të dyshuarve dhe një grupi personash nga Marsbergu dhe Rütheni, në të cilin ndodheshin edhe dy viktimat.
Konflikti më pas ka eskaluar në përleshje fizike, e cila ka përfunduar me vdekjen e 15-vjeçarit dhe plagosjen e rëndë të 18-vjeçarit.
Policia dhe Prokuroria kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e dy të dyshuarve, ndërsa kanë theksuar se aktualisht nuk vlerësohet se ekziston rrezik për publikun.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.






