Mikrobiologu Lul Raka, ka treguar se një pacient i cili shërohet njëherë nga koronavirusi Covid-19, nuk mund të infektohet përsëri.

Përmes një statusi në Facebook, Raka thotë se testet PCR nuk mund të dallojnë nëse virusi është i gjallë apo i vdekur, dhe kjo mund të çojë në rezultat të rrejshëm pozitiv.

Postimi i plotë i Rakës:

A MUND TË PREKET PËRSËRI NGA COVID-19 NJË PACIENT I SHËRUAR?

Kjo pyetje u shtrua në mbarë botën ditëve të fundit, pas raportimit të disa rasteve të pacientëve në Korenë e Jugut.

Ekspertët e infektologjisë në Korenë e Jugut deklaruan pardje se fragmentet e virusit të vdekur shkaktuan që 292 persona të shëruar, të jenë përsëri pozitiv disa javë pas shërimit.

“Testet zbuluan acidin ribonukleik të virusit të vdekur,” tha Oh Myoung-don, udhëheqës i panelit të ekspertëve. Ai theksoi se tek testet PCR, që përdoren për diagnozën e COVID-19, materialet gjenetike të virusit amplifikohen gjatë testimit, qoftë nga një virus i gjallë apo thjesht nga fragmente të qelizave të vdekura të virusit. Këtyre fragmenteve nganjëherë ju duhen muaj për t’u pastruar nga pacientët e rikuperuar.

Testet PCR nuk mund të dallojnë nëse virusi është i gjallë apo i vdekur, dhe kjo mund të çojë në rezultat të rrejshëm pozitiv.

Fragmentet e vdekura të virusit nuk janë infektive. Këta pacientë nuk e përhapin infeksionin!

PRA, SËMUNDJA NUK RIKTHEHET TE PACIENTI I SHËRUAR!