Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Berlin, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci zhvilloi takim me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Christian Nawrat.
Gjatë takimit u diskutuan prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, me theks të veçantë në planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si dhe nismën ligjore për krijimin e zonës së industrisë për mbrojtje.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe angazhimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5), si një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euroatlantik në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Bëhet e ditur se, gjatë diskutimit, Maqedonci theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët, në funksion të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimit të sigurisë rajonale.






