Pezullimi i dekretit nga Kushtetuesja nuk ka paraqitur pengesë për partitë që po synojnë ta formojnë Qeverinë e re.
Avdullah Hoti, që është mandatuar për kryeministër, ka takuar në selinë e partisë përfaqësuesit e AAK-së e Nismës për të harmonizuar programin qeverisës. Në fakt, LDK-ja është e bindur se Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të tyre.
Arban Abrashi i LDK-së ka thënë se ende nuk i kanë emrat për ministra, derisa për këtë ka mohuar përplasjet brenda partisë.
Ndonëse kanë premtuar të premten, LDK-ja ende nuk e ka publikuar marrëveshjen e koalicionit me Listën Serbe, raporton KOHA.
Sekretari i AAK-së, Besnik Tahiri, kërkon që të mos bëhet presion te Gjykata Kushtetuese, e Nisma e Fatmir Limajt pret vendim që ua mundëson formimin e Qeverisë.
Këto parti nuk arritën ta realizojnë planin që ta votojnë Qeverinë e re të shtunën e 2 majit.
Kjo ngase Vetëvendosje dërgoi në Kushtetuese dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili e mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër. Gjykata pezulloi deri më 29 maj hyrjen në fuqi të këtij dekreti, deri të vendosë për kërkesën e partisë së Albin Kurtit.