Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur shirita në objektin e Qeverinë, duke e shpallur atë karantinë, raporton Ekonomia Online.

Zgiim Hyseni, nënkryetar i PSD-së tha se përmes këtij aksioni simbolik e kanë futur Qeverinë në karantinë, pas rastit tragjik që ndodhi të dielën në Qendrën e Studentëve, ku një i ri  nga Gjilani dyshohet se bëri vetëvrasje.

Sipas tij, nuk ka hetim të pavarur të kësaj çështje kur ende janë në detyrë ministrat Xhelal Sveçla dhe Arben Vitia.

“Jemi këtu për të kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit e kësaj karantine mbi rastin tragjik që ndodhi dy ditë më herët”.

“Një hetim i pavarur dhe kredibil nuk është i njëjtë për sa kohë janë në detyrë ministri Sveçla dhe Vitia. Përmes veprimeve të tyre e kanë bërë të qartë se midis ligjit dhe shefit këta gjithmonë zgjedhin shefin”.

“Ministri Vitia me paramendim e ka shkel kushtetutën kur ka vendosur për masat pas vendimit të parë të gjykatës kushtetuese. Ministri Sveçla poashtu ka bërë përndjekje politike përmes karantinës. Ai përkundër udhëzimeve të policisë ka marrë vendim për heqjen e rrethojave të Qeverisë”.

“Çfarë po flasim sot është përgjegjësi politike.  Rasti tragjik ka ndodhur për sa kohë i ndjeri ka qenë nën përgjegjësinë e institucioneve shtetërore”.

“Prej një muaji as Sveçla e as Vitia nuk kanë qenë në vendin e infermierit ata janë udhëheqës politik. Gjatë këtij procesi është e rëndësishme të monitorohet hetimi që të mos kemi ndërhyrje”.

“Për t’i hapur rrugë hetimit është e rëndësishme që ministri i brendshëm Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë Vitia të mos jenë duke i kryer këto funksione. Këta e kanë bërë të ditur se nuk e kanë problem shkeljen e ligjeve”.