Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e pensionimit të xhudistes së njohur kosovare, Majlinda Kelmendi, e cila ka fituar medaljen e parë të artë olimpike “Rio 2016” për Kosovën, ka thënë se Majlinda është heroinë dhe ëndërr e realizuar e Kosovës.

“Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos, ajo me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme që e bëri shtetin tonë të tillë qysh e duam. Majlinda është ëndrra jonë e realizuar, është vërtet heroina jonë”, ka thënë Osmani.

“Flamuri kaltër-verdh valoi majave krahas shteteve më të mëdha anekënd globit falë triumfit të Majlindës. Ajo na bëri me ethe, na bëri të qajmë nga gëzimi, na bëri nder e krenari”, është shprehur presidentja.

Osmani tha se kjo forcë e pathyeshme me suksese të njëpasnjëshme është dhe do të mbesë frymëzim për vajzat e Kosovës e përtej Kosovës.

“Pa Majlindën dhe guximin e saj për pushtimin e horizonteve të reja sot nuk do ta kishim as Distrian e Norën. Majlinda tregoi fuqinë e një vajze si dhe fuqinë e një shteti dhe do t’i jemi falënderues çdo herë”, ka vazhduar ajo.

“Asaj i ka hije çfarëdo suksesi, asnjëherë nuk mund t’u dalim hakut për krenarinë që na dha”, ka shtuar Osmani./Klankosova.tv