Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten, në kuadër të zbatimit të një plani taktik operacional në rrugët malore të fshatit Korminjan të komunës së Ranillugut, janë identifikuar dy automjete që kishin hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Serbisë.

Gjatë kontrollit, policia tha se janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme pa dokumentacion përcjellës, të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në Republikën e Kosovës.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se mallrat nuk janë të pajisura me dokumentacion mbi prejardhjen apo procedurat doganore, ndërsa sipas mbishkrimeve ishin prodhim i Serbisë. Me autorizim të prokurorit kujdestar në Gjilan, automjetet dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme të vlerësimit dhe ruajtjes. Lidhur me rastin janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësia kompetente e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës”, u tha në njoftimin e PK-së.

Ky institucion tha se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonën kufitare, me qëllim mbrojtjen e rendit juridik, ekonomisë së vendit dhe sigurisë së qytetarëve.