Komuna e Podujevës, përmes programit AGRO të USAID-it, ka nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën bujqësisë me përfaqësuesit e kompanive “Agroprodukt VM”, “Herta-Fruits” dhe “Agro-Peti”, për furnizim të fermerëve me fidanë të dredhëzës industriale dhe bimëve mjekuese aromatike, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural i Komunës së Podujevës, Vezir Januzi, ka pritur në takim drejtorin e Programit Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (USAID), Fatmir Selimi, si dhe përfaqësuesit e kompanive “Agroprodukt VM”, “Herta-Fruits” dhe “Agro-Peti”.

Në takimin, ku ishit prezentë edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtori i Ambientit, Hamdi Jaha, u bisedua për rëndësinë e projekteve të përbashkëta që do të realizohen dhe mundësitë e partneritetit edhe ne fusha të tjera, me interes për zhvillimin e bujqësisë në Podujevë.

Me këtë rast, drejtori Januzi, përfaqësuesi i “Agroprodukt VM” – Rrustem Imeri, përfaqësuesi i “Herta-Fruits” – Jeton Sfirca dhe përfaqësuesi i kompanisë “Agro-Peti” – Petrit Shabani, në prezëncën e drejtorit të programit AGRO të USAID-it, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e sipërfaqeve me dredhëz industriale dhe bimë mjekuese aromatike.
Palët nënshkruese të marrëveshjeve vlerësuan se qëllimi kryesor i tyre është zhvillimi i industrisë komerciale të dredhzës, varieteti Senga Sengana dhe bimëve mjekuese aromatike në Komunën e Podujevës, duke marrë për bazë potencialin që kanë si dhe ngritjen e zhvillimit të ekonomive familjare, krijimit mundësisë së punësimit dhe rritjes së shitjeve përmes eksportit.

Marrëveshjet e nënshkruara janë pjesë e programit AGRO të USAID-it dhe në bazë të tyre kompanitë “Herta-Fruits” dhe “Agro-Peti” do të sigurojnë fidanë të dredhëzës të varietetit Senga Sengana për një sipërfaqe prej 24 hektarësh, ndërsa “Agroprodukt VM”do të sigurojë fidanë me bimë mjekuese aromatike për 2.5 hektarë./Llapi.info
Gjithashtu kompanitë nga këto marrëveshje do të ofrojnë bashkëpunim të plotë në këshillime dhe trajnime për fermerët përfitues, të cilët do të përzgjedhjen në bashkëpunim me DBPZHR – Podujevë./Llapi.info