Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka kritikuar ashpër dorëzimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti përballë Serbisë, e sipas tij për dy muaj të qeverisjes së Kurtit bëri veprime të rënda në territorin e Kosovës.

Bytyçi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se si rezultat i ofrimit të bashkëpunimit nga ana e Albin Kurtit, Serbia tani ka hapur edhe konkurs emergjent për qindra punonjës shëndetësorë që të vijnë në Kosovë.

Deklarata e plotë e Avni Bytyçit:

”Serbia hap konkurs emergjent për qindra punonjës shëndetësorë që të vijnë në Kosovë!

Filloi me një gabim të pafalshëm të pranimit të ndihmave “humanitare” nga Serbia, një veprim që na turpëroi para gjithë botës, e vazhdoi pastaj me dorëzimin e kontrollit efektiv ndaj qindra zyrtarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës, duke fyer rëndë e turpëruar mjekët e mrekullueshëm të Kosovës dhe sistemin tonë shëndetësor.

Zemërgjerësia e Albin Kurtit vetëm sa po shtohet në ditët e tij të fundit si kryeministër. Ai kërcënon Gjykatën Kushtetuese dhe anëtarët e saj, por Kushtetutën e Serbisë e merr si referencë për të argumentuar rastin e tij. Ndërsa sot, Serbia ka hapur një konkurs publik për staf shëndetësorë për t’u angazhuar në Kosovë. Ky është thjeshtë një dorëzim i pafalshëm ndaj Serbisë.”