Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka njoftuar se u janë ndërprerë kontratat më shumë se 60 njerëzve që ishin pjesë e kësaj ministrie.

Sipas një njoftimi nga Mustafa, ata ishin të angazhuar me kontrata antiligjore afatshkurtra.

“Kam trashëguar një ministri përplot shkelje ligjore, duke përfshirë mbi 60 njerëz që kanë qenë të angazhuar me kontrata afatshkurta antiligjore, nën premtimet e rrejshme se jashtëligjshëm do të ‘rehatohen’. Sot, u njoftova nga u.d. sekretari i Ministrisë dhe u.d. kryeshefi i Agjencisë së Bujqësisë se këto kontrata, në mungesë të bazës ligjore dhe si rezultat i shkurtimeve buxhetore për vitin 2020, janë ndërprerë. Këto janë vendime të zorshme e të dhimbshme për gjithsecilin, por shkelja e ligjit nuk mund të bëhet normë!” ka shkruar ai në Facebook.

Mustafa ka thënë se për pozitat e domosdoshme e ato të aprovuara ligjërisht do të hapen konkurse ligjore.