Skuadra nga Podujeva, KF Llapi dhe ajo nga Gjilani, Drita, kanë barazuar pa gola në xhiron e dytë të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.
Llapjanët e nisën mirë ndeshjen duke rrezikuar portën e “Intelektualëve” disa herë. Fillimisht nëpërmes Festim Alidemës në minutën e 10’, goditjen e të cilit e priti portieri Faton Maloku.
Nikoqirët u kundërpërgjigjen nëntë minuta më vonë, kur Almir Ajzeraj goditi fuqishëm, por në vend ishte portieri Coric.
Me rezultat të barabartë 0-0 u mbyll pjesa e parë në Gjilan.
Edhe në të dytën, ishin djelmoshat e Tahir Batatinës që patën dominimin. Por, rastet e Kushtrim Shabanit dhe Drilon Fazliut s’u konkretizuan me gol.
Në minutën e 84’, Llapi arriti të shënojë gol, por pas shikimit të VAR-it u anulua, për t’u mbyllur ndeshja 0-0.
Llapi ka dy pikë pas dy ndeshjeve, kurse Drita ka katër sosh. Në xhiron e radhës, skuadra nga “Zahir Pajaziti” pret Feronikelin, e në anën tjetër, Drita i shkon Malishevës./Llapi.info






