Llapi dhe Ballkani kanë ndarë pikët në derbin e kësaj xhiro, duke barazuar 1-1 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, raporton Llapi.info.

Në pjesën e parë, ishin mysafirët që shkuan në pushim me epërsi prej një goli. Ermal Krasniqi realizoi në minutën e 16’ për t’i dhënë epërsinë ekipit të Ballkanit. Me rezultatin 0-1 u mbyll pjesa e parë në Podujevë.

Në të dytën, ishin llapjanët që patën ofensivën. Golin e barazimit e gjetën tek në minutën e 62’ me anë të Kushtrim Shabanit, i cili shënoi nga gjuajtja e lirë.

Ekipi nga Theranda mbeti me një lojtar më pak në fushë në minutën e 76’, pasi Lumbardh Devolla u ndëshkua me karton të kuq.

Në minutat e mbetur, skuadrat patën disa raste shënimi, por që epilogu përfundimtar mbeti 1-1.

Me këtë barazim, Llapi tash i ka 54 pikë dhe radhitet në pozitën e katërt, ndërkohë që Ballkani kryeson në tabelë me 70 pikë.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Drenicës, derisa Ballkani pret në shtëpi Malishevën./Llapi.info