Komuna e Podujevës, në maj të vitit të kaluar, pati nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e parkingut nëntokësor, shkruan Llapi.info.
Mirëpo, në faqen zyrtare komunale, pak ditë më parë, është bërë e ditur se kjo procedurë është anuluar.
Sipas njoftimit për anulimin e procedurave të prokurimit, për këtë projekt kanë aplikuar dy operatorë ekonomikë.
“Të dy ofertuesit kanë bërë shkelje në projektin ideor apo konceptual duke vendosur sipërfaqen prej 978m2 të dedikuar për lokale afariste mbi sipërfaqen e tokës në lartësi mbi 4.0m duke mos respektuar kriteret e vlerësimit të cilat burojnë nga fizibiliteti i aprovuar dhe miratuar nga PPP”, thuhet në arsyetimin e anulimit.
“Gjithashtu konsorciumit “ABC” & “Premium Bau” i mungon sigurimi i tenderit në vlerë prej 85,000.00€”.
Gjithmonë sipas njoftimit, studimi i fizibilitetit për parking nëntokësor do të ketë një sipërfaqe prej 9780m2 për etazh. Objekti ka etazhet B-1 Dhe B-2 me kapacitet 240 vendparkingje. Në etazhin B-1 parashihen të alokohen 978m2 për destinim të lokaleve. Sipas studimit të fizibilitetit rekomandohen që të bëhen zgjidhje ku një pjesë të këtyre lokaleve të jenë pjesërisht mbi tokë në atë masë që të depërton drita natyrale.
Ky projekt ka qenë premtim elektoral i kryetarit aktual, Shpejtim Bulliqi. I njëjti pritet të kushtojë miliona euro, kurse, pritet të ndërtohet në sheshin “Ali Ajeti”.
Nuk dihet se kur do të hapet serish tenderi për këtë projekt.
Nisin procedurat për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Podujevë
Në këtë vend do të ndërtohet parkingu nëntokësor në Podujevë






