Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitm Haziri e ka quajtur fitore të qytetarëve dhe të Qeverisë në luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.
Ai ka thënë se pandemia ka ngritur shumë pikëpyetje kushtetuese në shumë shtete të botës.
Sipas tij, kufizime të tilla janë marrë në të gjithë globin, nga të gjitha shtetet pak prej shteteve kanë shpëtuar pa bërë shkelje kushtetuese.
Në anën tjetër, Haziri e ka quajtur turp opozitën e Kosovës, pasi që siç ka thënë ai, kjo opozitë është bashkuar me pandeminë për ta luftuar qeverinë Kurti.
“Opozita në të gjithë botën është bashkuar me mazhorancën për ta luftuar pandeminë dhe për të rregulluar aspektin ligjor në luftimin e pandemisë. Vetëm opozita në Kosovë është bashkuar me pandeminë për ta luftuar qeverinë Kurti. Opozitë të tillë nuk gjen as në Afrikë”, ka shkruar ai pos tjerash.
Postimi i plotë:
Fitorja e qytetarëve & Qeverisë dhe turpi i opozitës!
Pandemia me COVID-19 ka ngritur shumë pikëpyetje kushtetuese në shumë shtete të botës, për të cilat kurrë nuk kemi menduar ndonjëherë.
A mund të urdhërohet një mbyllje mbarëkombëtare?
A mundet të karantinohen qytetet apo shtetet?
A mund të mbyllen institucionet e kultit fetar siç janë xhamitë e kishat që janë institucione paqësore publike?
Po dyqanet e ndryshme dhe kafiterit?
Për këtë çështje, a mundet dikush të ndalojë një pronar biznesi që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të punuar dhe fituar ?
A nuk janë të gjitha këto kufizime kundër të drejtave tona më themelore kushtetuese për të udhëtuar, për të fituar, për të lëvizur, për të dëfruar, për t’u lutur?
Kufizime të tilla janë marrë në të gjithë globin, nga të gjitha shtetet pak prej shteteve kanë shpëtuar pa bërë shkelje kushtetuese.
Opozita në të gjithë botën është bashkuar me mazhorancën për ta luftuar pandeminë dhe për të rregulluar aspektin ligjor në luftimin e pandemisë. Vetëm opozita në Kosovë është bashkuar me pandeminë për ta luftuar qeverinë Kurti. Opozitë të tillë nuk gjen as në Afrikë.
Pavarësisht kësaj, falë qytetarëve të ndërgjegjshëm, falë mjekëve e policëve, falë ushtarëve e zyrtarëve në institucione të ndryshme, falë qeverive lokale dhe administratave të tyre, që patën mirëkuptim në vendimet e qeverisë jemi rënditur ndër shtetet e 4-ta në EU me menaxhimin më të mirë kundër pandemisë.
Urime qytetarë të Republikës së Kosovës për këtë sukses e marre juve opozitë që kurrë nuk patët mëshirë ndaj qytetarëve e qeverisë.