Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiaj pas mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe ministrave Arben Vitia e Xhelal Sveçla, pas vdekjes së Agon Musliut nga Gjilani në karantinën në Qendrën e Studentëve, raporton Ekonomia Online.

“Pika e parë ishte rasti tragjik që ka shokuar opinionin pra rasti i vdekjes së Agon Musliut dhe një pikë tjetër ka qenë ndarja e 10 milionë eurove për serbët në veri. Ne  kërkojmë përgjegjësi të institucioneve për llogaridhënien dhe ata që janë përgjegjës sepse, Agoni në fund të fundit ka humbur jetën në duart e shtetit të Kosovës”, tha Haxhiu.

Po të kishte moral politik sipas saj do të duhej të kishte dorëheqje.

“Ajo çka është dashtë me ndodhë kishte me qenë dorëheqja e Ministri të Shëndetësisë, apo të Punëve të Brendshme pse jo edhe të kryeministrit në detyrë. Neglizhenca është dhimbja më e madhe që ka ndodhur nga institucionet. Kërkojme nga organet që të veprojnë me urgjencë dhe të zbardhet rasti. Përgjegjësi e atyre që do të duhej ta kenë përgjegjësinë dhe të kishte moral politik ata duhej të kishin dhënë dorëheqje në ditën e parë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se është diskutuar për mjetet prej 10 milionë eurove për  serbët në veri.

“Është një diskriminim që ka ndodh me qytetarët e vendit sepse indirekt taksat e qytetarëve shkojnë te serbët”, shtoi ajo.