Disa fshatra të Kosovës kanë kërkuar që të shpallen komuna në vete, shkruan Llapi.info.

Kështu ka deklaruar në Tëvë1 edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ndër fshatrat që kanë bërë kërkesë bën pjesë edhe fshati Orllan i Podujevës që ka aplikuar për t’u shpallur komunë në vete.

Llapi.info ka raportuar edhe më parë se si ky fshat kishte aplikuar disa herë që të shpallej komunë. Por, Orllani nuk ishte i vetmi fshat i Podujevës. Të njëjtën kërkesë e kishte bërë edhe fshati Kërpimeh.

Ishte viti 2010, kur në atë kohë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi u premtoi banorëve të fshatrave Kërpimeh dhe Orllan, që do t’i bëjë komuna, raporton Llapi.info.

Një premtim i tillë nga Thaçi dhe kërkesa e banorëve u patën përsëritur edhe në vitin 2014, por që asnjëherë nuk u bë realitet.

Kur në pushtet erdhi Ramush Haradinaj, më 2017, e njejta kërkesë ishte bërë edhe ndaj tij, por që as ai nuk kishte bërë asnjë hap konkret për ta bërë një gjë të tillë.

Madje, para disa vitesh ishte organizuar një protestë, ku kërkohej nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thai, që ta bëjë Orllanin – komunë.

“Kryeministër mbaje premtimin –Orllani komunë”, shkruante në një pankartë që një banor e mbante në duar./Llapi.info

Këto janë dy fshatrat e Podujevës, që kërkonin të bëheshin komuna (FOTO)