Ishte viti 2010, kur në atë kohë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi u premtoi banorëve të fshatrave Kërpimeh dhe Orllan, që do t’i bëjë komuna, raporton Llapi.info.

Një premtim i tillë nga Thaçi dhe kërkesa e banorëve u patën përsëritur edhe në vitin 2014, por që asnjëherë nuk u bë realitet.

Kur në pushtet erdhi Ramush Haradinaj, më 2017, e njejta kërkesë ishte bërë edhe ndaj tij, por që as ai nuk kishte bërë asnjë hap konkret për ta bërë një gjë të tillë.

Madje, para disa vitesh ishte organizuar një protestë, ku kërkohej nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thai, që ta bëjë Orllanin – komunë.

“Kryeministër mbaje premtimin –Orllani komunë”, shkruante në një pankartë që një banor e mbante në duar.

Mirëpo, këto dy fshatra të Podujevës, nuk janë të vetmet që kishin dashur të bëhen komunë më vete.

Një gjë të tillë e kishte kërkuar edhe Zhegra e Gjilanit. Madje, qysh nga maji i vitit 2006.

Vendet tjera që kishin kërkuar të bëhen komuna të reja janë: Orllani (Podujevë), Runik (Skenderaj), Zym (Prizren), Rogovë (Gjakovë), Hogosht (Kamenicë), Reçan (Prizren), Gorë (Dragash), Rogaçicë (Kamenicë), Krushë e Madhe (Rahovec), Vitomiricë (Pejë), Komoran (Gllogoc), Ponashec (Gjakovë), Llapjas apo ish-Kërpimeh (Podujevë), Janjevë (Lipjan), Pozhoran (Viti), Xërxë (Rahovec), Magurë (Lipjan) dhe Kievë (Malishevë)./Llapi.info

Orllani dhe Kërpimehu kërkojnë të bëhen komuna