Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar sot propozimin e Komisionit Evropian për të ndarë 3 miliardë euro për t’i ndihmuar shtetet fqinjë për t’u përballur me rënien ekonomike gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

“Shtetet fqinje janë partnerët tanë më të afërt. Tani më shumë se kurrë, është absolutisht thelbësore që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë solidaritet në adresimin e ndikimit ekonomik dhe shoqëror të kësaj krize globale”, ka thënë Zdravko Maric, ministri kroat i financave.

Në këtë pako janë përfshirë: Shqipëria me 180 milionë euro, Bosnja dhe Hercegovina me 250 milionë, Georgia me 150 milionë. Jordania me 200 milionë euro, Kosova me 100 milionë euro, Moldavia 100 milionë euro, Mali i Zi me 60 milionë euro, Maqedonia Veriore 160 milionë euro, Tunisia 600 milionë dhe Ukraina me 1200 euro.

Ndihma e BE do t’i ndihmojë këto juridiksione të mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme të financimit të cilat janë rritur si rezultat i shpërthimit të COVID-19. Së bashku me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet do të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për të lejuar që burimet të ndahen në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve dhe për të zbutur pasojat negative socio-ekonomike të pandemisë koronavirus.

Fondet do të jenë në dispozicion për dymbëdhjetë muaj dhe do të shpërndahen në dy këste. Huatë do të kenë një maturim maksimal mesatar prej 15 vjet. Ndihma do t’i nënshtrohet një memorandumi mirëkuptimi (MM), që do të bihet dakord midis secilit vend partner dhe Komisionit./ Insajderi

Teksti do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli përpara se ai të hyjë në fuqi.