Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se si Komunë do t’i ndajnë 2 mijë euro për familjen Veseli, e cila ka nevojë për ndihmë për shërimin e Arlindit, shkruan Llapi.info.

Bulliqi, në një postim në Facebook, ka potencuar se rasti i Arlindit, sipas tij, i ka bërë të gjithë qytetarët bashkë për të ndihmuar në forma të ndryshme.

“Mora pjesë në koncertin humanitar për Arlind Veselin bashkë me aktivistët e Lëvizjes. Me vendim si kryetar i Komunës do të ndaj shumën prej 2000 euro për familjen Veseli dhe si subjekt politik kemi blerë sot 500 bileta për të lehtësuar barrën financiare për familjen për operacionin që duhet ta kryej Arlindi. Rasti i Arlindit na ka bërë të gjithëve bashkë dhe ka mobilizuar secilin qytetar për të ndihmuar në forma të ndryshme. I përgëzova organizatorët për iniciativën që kanë ndërmarrë për organizimin e këtij koncerti dhe i falënderova artistët pjesëmarrës të këtij eventi. Ju lus të vazhdoni të kontribuoni në llogarinë e familjes së Arlindit, sepse secila ndihmë është ende shumë e nevojshme”, shkruan Bulliqi.

Gjatë ditës është mbajtur një koncert në stadiumin e qytetit, ku kanë performuar këngëtarë të shumtë, nga ku është ndihmuar familja Veseli me biletat e blera nga qytetarët./Llapi.info

Gold Ag: Duke ardhur në Podujevë, mora një telefonatë – kaq para dhuroi një person për Arlind Veselin