Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se kanë nënshkruar marrëveshjen me drejtorin ekzekutiv të organizatës “Qatar Charity”, Esam Dabab, për ndarjen e granteve (serrave për kultivim) për familjet me kushte të rënda ekonomike, raporton Llapi.info.
Gjatë këtij takimi, Bulliqi ka thënë se Dabab i ka dhënë edhe një lajm të mirë, i cili ka të bëjë me hapjen e mbi 60 puseve (bunarëve) në Podujevë.
“Me drejtorin ekzekutiv të organizatës “Qatar Charity” z. Esam Dabab, nënshkruam memorandum bashkëpunimi për ndarjen e granteve (serrave për kultivim) për familjet me kushte të rënda ekonomike, ku 70 %e vlerës së projektit do të mbulohet nga organizata ndërsa 30% nga Komuna e Podujevës. Gjatë takimit biseduam edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe shëndetësisë, në theks të veçantë për projektet e përbashkëta të cilat do të kontribuonin në mirëqenien e qytetarëve. Përfaqësuesit e OJQ “Qatar Charity”, ndan një lajm të mirë për neve, ku u zotuan që së shpejti do të fillojnë projektin për hapjen e 62 puseve për familjet në nevojë, ku 90% të projektit do të mbulohet nga organizata ndërsa 10% nga komuna e Podujevës”, ka shkruar ai./Llapi.info






