Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Qeveria Kurti është në rrugë të mbarë për uljen e shkallës së papunësisë në nivel vendi.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë bën që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6%, që sipas tij, përbën uljen më të madhe në dy dekadat e fundit.

“Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar), do të binte në nivelin e 24.1%. Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%. Në rrugë të mbarë”, ka shkruar Bislimi.

Postimi i plotë:

Deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të pakos emergjente të Qeverisë së Kosovës, ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të ri, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1268.

Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130.289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25.9 për qind.

Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bën që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6%, që përbën uljen më të madhe në 20 vjetët e fundit.

Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare, ende e nënvlerësuar, do të binte në nivelin e 24.1%.

Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%. Në rrugë të mbarë.