Skuadra nga Podujeva, KF Llapi, ka fituar me përmbysje në udhëtim te Prishtina me rezultat 1-2, shkruan Llapi.info.
Golin për kryeqytetasit e shënoi Besnik Krasniqi nga penaltia në minutën e 22’, ndërkohë që llapjanët shënuan dy herë në pesë minutat e fundit me anë të Kastriot Selmanit dhe Valmir Veliut.
Me këtë fitore dhe me lojën e treguar nga lojtarët në fushë është ndarë i kënaqur edhe trajneri i klubit llapjan, Tahir Batatina. Ky i fundit ka thënë se beson se deri në fund të javës tjetër, Llapi do të jetë në pozitën e katërt.
“Fillimisht jam shumë i lumtur për këtë fitore, lojtarët të gjithë luajtën mirë. Këtë ndeshje kisha strategjinë e njëjtë me Prishtinën sikurse në takimin në finale të Super Kupës. Veliu e Selmani bën një punë të mirë, njësoj sikurse Alidema”, tha Batatina.
Krejt në fund tekniku llapjan tha se nëse do të kishte qenë trajner i Përfaqësueses së Kosovës nuk do ta kishte humbur asnjë ndeshje në Fadil Vokrri.
“Nëse kisha qenë trajner i kombëtares, nuk do të humbisja asnjë ndeshje në Fadil Vokrri, vetë emri është një motiv shtesë. Fadili ka ardhur nga Llapi dhe ka bërë maksimumin”, përfundoi trajneri llapjan.
Pas kësaj fitoreje, Llapi tash ka nëntë pikë dhe radhitet në pozitën e parafundit, ndërkohë që Prishtina ka 10 sosh dhe pozicionohet në vendin e gjashtë./Llapi.info






