Llapi ka shënuar fitore sot në udhëtim te Malisheva me rezultat të pastër 2-0, për t’i arkëtuar tri pikë mjaftë të rëndësishme, shkruan Llapi.info.

Arbnor Ramadani dhe Adem Maliqi shënuan për ekipin nga Podujeva, duke bërë kështu që skuadra nga “Zahir Pajaziti” të jetë vetëm dy pikë larg vendit të dytë.

Pas kësaj fitoreje, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se djelmoshat e tij, siç ka thënë Batatina, luajtën mirë, duke mos pësuar gol as në këtë xhiro.

“E kemi ditur që do të jetë vështirë të luhet futboll në këtë terren. Nuk i plotëson kushtet ky terren. Kam folur me lojtarët që të mos lëndohemi, duke e ditur se jemi afër Evropës. Kur kemi kaluar në finale të Kupës kam folur me lojtarët se duhet të luajmë taktikisht, të mos bëjmë gabimin siç e kemi bërë vitin e kaluar. Sot kemi qenë më të mirë gjatë gjithë ndeshjes, por kemi qenë të kujdesshëm”, ka thënë ai.

Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 53 pikëve dhe radhitet në pozitën e katërt, por tani vetëm dy pikë larg Dritës, që ndodhet në vendin e dytë.

Në xhiron e radhës, Llapi zhvillon derbin ndaj Ballkanit në stadiumin e qytetit të Podujevës, “Zahir Pajaziti”./Llapi.info