Lokale - eSIMy

Skuadra e Llapit është rikthyer te fitorja, duke mposhtur sot Feronikelin në “Rexhep Rexhepi” me rezultat të pastër 2-0, shkruan Llapi.info.

Golat e Francisco Riveras dhe Valmir Veliut mjaftuan që Llapi të kthehet në shtëpi me tri pikë të plota dhe mjaft të rëndësishme për t’u ngritur në radhitjen tabelare.

Pas këtij triumfi, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka theksuar se pret që kjo lojë e djelmoshave të tij ndaj “Niklit” të vazhdojë edhe në xhirot e radhës.

“Jemi duke bërë ndryshime në çdo ndeshje për shkak të lëndimeve dhe kartonëve që i kemi në skuadër. Por, unë kam një problem pasi që në ekip tim mund të bëjë dy skuadra dhe kam mundësi për rotacione. Ndaj Feronikelit, jemi qasur nga minuta e parë me seriozitet dhe presim kështu në çdo ndeshje për të nxjerrë rezultate pozitive”, tha Batatina.

Me këtë fitore, Llapi tash i ka 15 pikë të tubuara dhe aktualisht radhitet në pozitën e pestë, ndërkohë që Feronikeli ka 10 sosh dhe pozicionohet në fund të tabelës./Llapi.info