Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar edhe sot pas disfatës ndaj Dukagjinit, se fokusin kryesor e ka në finale në Kupën e Kosovës, raporton Llapi.info.

Pas humbjes së pësuar ndaj Dukagjinit, tekniku i skuadrës nga Podujeva ka thënë se pasi është fundi i edicionit, ka inkuadruar në fushë lojtarë të rinj, duke shtuar se ekipi i tij ka siguruar kalimin në Evropë.

“Jemi në fund të kampionatit dhe nuk është mirë që një trajner të mos u jap hapësirë lojtarëve rinj, për ta parë potencialin e tyre për të ardhmen. Fokusi im është që t’u jap hapësirë djemve të rinj të skuadrës. Fokusin natyrisht e kam edhe te finalja e Kupës së Kosovës ndaj Dritës sepse faktikisht, Llapi e ka siguruar Evropën”, ka thënë Batatina.

Llapi këtë edicion do ta përfundojë në vendin e katërt në tabelë, derisa pas 35 xhirosh ka 54 pikë të tubuara, katër pikë më shumë se Dukagjini që radhitet një pozitë më poshtë.

Në ndeshjen e fundit për edicionin 2021/22, Llapi e zhvillon në “Zahir Pajaziti” ndaj Prishtinës, ndërkohë që Dukagjini i shkon Malishevës./Llapi.info