Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 20:00 në magjistralen Podujevë – Prishtinë, konkretisht në fshatin Lupç, raporton Llapi.info.

Në këtë aksident janë përfshirë dy automjete, me ç’rast janë shkaktuar dëme materiale. Nga kjo përplasje nuk raportohet për persona të lënduar. Si pasojë e këtij aksidenti janë krijuar kolona të gjata në këtë rrugë që lidh Llapin me kryeqytetin.

Ekipet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkaqet e këtij aksidenti.

Gjatë 24 orëve të fundit në rrugët e Kosovës kanë ndodhur 80 aksidente, prej tyre, 27 ishin me të lënduar ndërsa 53 vetëm me dëme materiale.

Pas numrit të madh të aksidenteve në vend, sidomos të atyre me fatalitet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media ka folur për mundësinë e digjitalizimit të trafikut në Kosovë.

Ai foli për mundësinë e shqiptimit të gjobave pa e ndalu personin, “mundësitë dixhitale me u bë pa u ndalu fare personi”. Sipas tij, ky plan do të ndihmonte në uljen e numrit të aksidenteve.

“Ne po jetojmë në shekullin 21 dhe gjithashtu shtetet moderne kontrollin e trafikut e bëjnë me mjete digjitale, kamera, senzor, radar, jo përmes formës fizike qysh jemi ne tu e apliku. Ky hap që jemi tu e përgatit do të ndihmojë fillimisht në uljn e nivelit të gjobave, në uljen e aksidenteve ne trafik dhe në vetëdijësimin e qytetarëve”, është shprehur ai pos tjerash./Llapi.info