Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se duke mos respektuar asnjë procedurë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti mori vendim për kufizimin e lëvizjes për shkak të pandemisë, e cila sipas tij, me pas u konfirmua si shkelje kushtetuese.
Sipas Abrashit, ai krye në vete vendosi edhe në herën e dytë.
Ai ka shtuar se Kurti e uli nivelin e menaxhimit shtetëror nga qeveria në ministri në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.
“Këto masa antikushtetuese janë vendosur nga qeveria pa votat e LDK-së. Kërkojmë urgjentisht të shfuqizohen vendimet për karantinim. Urgjentisht, Prishtina të hiqet nga karantina”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se letra kërcënuese e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese është sinjal për rrëshqitje në diktaturë.
“Duke u zhytur edhe më shumë në tendencat për të kontrolluar gjithçka, i është drejtuar me një letër kërcënuese Gjykatës Kushtetuese duke thënë se nëse merr për bazë ankesa tjera tregohet e anshme. Pra vendimet e çdo institucioni duhet të jenë në sinkron me të përndryshe ai tregohet i anshëm”, ka thënë ai.
Abrashi ka thënë se në këto ditë të qeverisjes, Kurti shfaqi dromca dashurie për Serbinë.