Screenshot
Lokale - eSIMy

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina, pasi nuk plotësonin standardet e kërkuara të sigurisë.

Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar gjatë ditëve të fundit në pikat doganore të Kosovës, në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në vendet anëtare të CEFTA-s

Qëllimi i këtij aksioni ishte forcimi i kontrolleve dhe parandalimi i hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.

Gjatë inspektimeve është konstatuar se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.

IQMT ka paralajmëruar se lodrat që nuk përmbushin standardet ligjore mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se, përmes IQMT-së, do të vazhdojë kontrollet dhe mbikëqyrjen e produkteve që vendosen në treg, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë së tyre.