Lokale - eSIMy

Llapi ka mposhtur Prishtinën 3-2 në kuadër të xhiros së 18-të, të fundit të stinorit vjeshtor, raporton Llapi.info.

Llapjanët e nisën mirë ndeshjen duke realizuar dy gola të shpejtë. Në minutën e 24’, nikoqirët kaluan në epërsi ndaj kryeqytetasve pas autogolit që e shënoi Benet Ismaili me kokë.

Francisco Rivera e dyfishoi epërsinë e Llapit ndaj Prishtinës në minutën e 27’.

Krejt në fund të pjesës së parë, Prishtina ngushtoi epërsinë në 2-1 me anë të Arlind Shabanit, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë në “Sami Kelmendi” të Lipjanit.

Edhe pjesa e dytë solli mjaft raste të volitshme shënimi. Golin e barazimit 2-2, prishtinasit e gjetën në minutën e 61’ me anë të Sabien Lilajt, i cili realizoi nga penaltia.

Golin e fitores llapjanët e shënuan në minutat shtesë të ndeshjes. Kushtrim Shabani realizoi për t’i arkëtuar Llapi tri pikët e plota në këtë takim.

Me këtë fitore, Llapi ka 29 pikë të tubuara dhe mbyll stinorin vjeshtor në vendin e katërt, ndërkohë që Prishtina ka 24 sosh dhe pozicionohet në vendin e pestë./Llapi.info