Llapi dhe Dukagjini kanë ndarë pikët në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll, duke barazuar pa gola, raporton Llapi.info.
Llapjanët kështu regjistrojnë barazimin e dytë radhazi, krahas atij me Gjilanin fundjavën e kaluar.
Pas këtij barazimi, tekniku llapjan, Tahir Batatina ka theksuar se në këtë ndeshje kanë bërë maksimumin për t’i marrë pikët e plota, por që një gjë e tillë nuk u arrit. Ai ka theksuar se në Klinë ka pasur mungesë lojtarësh.
“Kur Barcelona nuk ka pasur Messin nuk ka pas lojë të mirë, kurse ne nuk e kishim Valmir Veliun që ishte një mungesë e madhe. Por, djemtë luajtën mirë, ndoshta në pjesë ne dytë kemi qenë më të rezervuar edhe pse mendoj se kemi mundur ta fitojmë ndeshjen. Megjithatë, është e rëndësishme që kemi vazhduar serinë pozitive të rezultateve, ndonëse sot është dashur të fitojmë. Synojmë pikët e plota në ndeshjet tjera për të mbetur në krye të tabelës, aty ku Llapi e ka vendin”, ka thënë Batatina.
Me këtë barazim, Dukagjini vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit në tabelë me 17 pikë pas 17 xhirove. Në anën tjetër Llapi ndodhet në vendin e katërt me 26 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Dukagjini do të luaj në udhëtim te Malisheva, derisa Llapi në kuadër të xhiros së 18-të do të përballet në derbin e javës me Prishtinën në Merdare./Llapi.info






