Lokale - eSIMy

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i lumtur me fitoren e skuadrës së tij ndaj Ballkanit me rezultat të thellë 4-1, raporton Llapi.info.

Trajneri i llapjanëve pas ndeshjes ka lavdëruar lojtarët për angazhimin dhe për fitoren në takimin ndaj Ballkanit, ndërkohë që ka shtuar se zëvendësimet e qëlluara, sipas tij, vendosen ndeshjen.

“S’ka qenë ndeshje e lehtë. E dimë që kemi luajtur ndaj një skuadre e cila ishte në pozitën e parë dhe duhet të jeni të kujdesshëm ndaj një kundërshtari të fortë. Në pjesën e parë nuk luajtëm kënaqshëm, loja nuk ishte e rrjedhshme. Në pjesën e dytë ju kam thënë lojtarëve se duhet të ndryshojmë nëse duam të fitojmë. Në momentin e pranimit të golit ndryshova skemën duke bërë zëvendësimet e qëlluara. Trajneri nuk është për të mbajtur vetëm stërvitje, kështu e kam përgatitur ndeshjen dhe në fund erdhi rezultati. Nuk jemi zmbrapsur, kemi vazhduar të sulmojmë deri në fund dhe ia arritëm objektivit”, ka thënë Batatina.

“Edhe me Prishtinën e kanë përcaktua ndeshjen zëvendësimet, trajneri nuk është vetëm me mbajt stërvitje, trajneri tregohet edhe në lojë. Kur kam arrit me e mposhtë Prishtinën në minutat shtesë, Ballkani mendoj që është petull shumë e hollë për Llapin, dhe sot vërtetuam që mund të luftojmë për kreun e tabelës, kampioni është i gjatë, ne do shkojmë nga ndeshja në ndeshje”, përfundoi Batatina pas ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Llapi ngjitet në pozitën e katërt me 21 pikë, ndërsa Ballkani renditet i treti me 24 pikë.

Në ndeshjen e radhës, llapjanët luajnë në udhëtim te Drenica, e në anën tjetër therandasit e presin Malishevën./Llapi.info