Llapi ka pësuar disfatë në Merdar duke u mposhtur nga Drita me rezultat 1-3 në xhiron e njëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.
Në këtë ndeshje u shënuan katër gola, ndërkohë që u dhanë edhe dy kartonë të kuq – nga një për secilën skuadër. Golin për nikoqirët e shënoi Alban Shillova, derisa mysafirët realizuan me anë të Astrit Fazliut, Hamdi Namanit dhe Marko Simonovskit.
Pas kësaj disfate, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka akuzuar gjyqtarët për referim të dobët. Ai ka thënë se kjo fitore, sipas tij, duhet t’i shkojë gjyqtarit kryesor, Genc Nuzës.
“Rezultati i kësaj ndeshje nuk ka qenë real. Nuk po e di se kujt po i pengojnë rezultatet pozitive të Llapit. Këtë fitore ia dedikoi Nuzës, i cili ishte ai që vendosi takimin. Referimi nuk ka qenë korrekt. Neve nuk na mposhti Drita, por gjyqtarët. Ai e di fare mirë se sot ka gabuar. Ai shikoi VAR-in vetëm kur i konvenonte. Dritës ia uroj fitoren, por edhe arbitrave. Iu ka hyrë frika në palcë nga Llapi pas tri fitoreve rresht. Por Llapi nuk do të ndalet. Nuk është e drejtë të dëmtohemi në këtë mënyrë. Kur të luajmë kundër Dritës do të ishte mirë të referonte dikush tjetër”, ka thënë Batatina.
Më tej, tekniku llapjan ka falënderuar lojtarët e ekipit të tij për angazhimin e dhënë gjatë tërë kësaj ndeshjeje.
Me këtë fitore, Drita aktualisht renditet e dyta në tabelë me 19 pikë, ndërkohë që Llapi ka 12 sosh dhe pozicionohet në vendin e shtatë.
Në xhiron e radhës, Llapi udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin, derisa Drita pret Malishevën./Llapi.info






