Lokale - eSIMy

Ekipi i Llapit ka arritur të shënojë fitoren e parë këtë edicion pas shtatë xhirosh, duke mposhtur në shtëpi Dukagjinin me rezultat 1-0, shkruan Llapi.info.

Golin e vetëm në këtë takim e realizoi Francisco Rivera, kur po zhvillohej minuta e 12’ në stadiumin në Merdar.

Pas kësaj fitoreje, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se Llapit të tij dhe Barcelonës nuk po i ecën mbarë në këtë sezon, derisa këtë fitore ia dedikon humanistit Halil Kastrati që ka aktualisht probleme shëndetësore.

“Më shumë ka qenë lojë nervash se sa futbolli. Në këtë ndeshje na janë dashur pikët dhe me vjen keq për legjendat llapjane që nuk kanë parë ndeshje të bukur, por megjithatë përgëzojë edhe lojtarët që dhanë maksimumin për të marrë fitore”, ka thënë ai pas ndeshjes për Art Sport.

“Kjo fushë nuk na lejon që të bëjmë maksimumin, mirëpo që kjo fitore i largon nga gjendja psikologjike dhe kemi 10 ditë pushim e me pas do të kthehemi furishëm. Fakt që unë këtyre lojtarëve i qëndrojë mbrapa dhe me dy pikë, pasi këtë sezon Llapi dhe Barcelona nuk po i shkon ashtu si duhet. Këtë fitore ia dedikoj humanistit Halil Kastrati, pasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe i deshirojmë shërim sa më të shpejtë”, përfundoi Batatina.

Me këtë fitore, e cila është e para në këtë sezon, Llapi arrin në kuotën e gjashtë pikëve dhe vazhdon të jetë në fund të tabelës, më pikë të njëjta me Ulpianën dhe Dukagjinin.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon në “Fadil Vokrri” Prishtinës, ndërkohë që Dukagjini pret Malishevën./Llapi.info