Lokale - eSIMy

Trajneri i futbollit në Kosovë, Ismet Munishi në ‘Emison Arena” , ka folur për trajnerin e ri të Llapit, Bekim Shotani.

Sipas Munishit, zgjedhja e Shotanit si trajner ka qenë ideale për Llapin, transmeton Llapi.info.

“Sjellja e Shotanit është ide shumë e mirë ai është punëtor i madh. Pra, për momentin zgjedhja ideale ka qenë Shotani i cili nuk shquhet si diktator, por është trajner ma liberal. Si duket edhe në Podujevë nuk po munden me i duru trajnerët që kanë disiplinë jashtëzakonisht të madhe. Duhet me potencu deshëm apo nuk deshëm ka pasur ankesa te trajneri edhe prej futbollistëve. Bekim Shotani besoj që mund t’i balancojë këto gjëra, Llapi ka skuadër të mirë”, ka thënë Munishi.

Sipas tij, gjasat për titull kampion në Superligë tek Llapi ekzistojnë.

“Për Llapin është me rëndësi që të mos i ikë vendi i parë. Dimrit të shohim se a do të sjellin edhe ndonjë përforcim në skuadër dhe të bëhet një punë e mirë. Për Llapin janë gjasat për titull sepse i kemi skuadrat prej vendit 5 e 6 në tabelë që kanë ambicie për kampion. Bekimi është trajner i mirë ka përvojë, ka ndërruar disa klube kohën e fundit, tani ka skuadrën e mirë, mirëpo forcën e Llapit do ta shohim sezonës së ardhshme”, ka thënë tutje ai.

Favorit për kampion Llapin e sheh edhe Viktor Kuka, lojtar i klubit Drita.

“Llapi është njëri ndër tre favoritët për titull, ka marrë lojtarë cilësorë. Por, do ta shohim në stinorin tjetër forcën e Llapit. Mendoj se Llapi do të jetë pretendentë kryesor për titull”, ka thënë Kuka./Llapi.info