Llapi është mposhtur në shtëpi nga Drita me rezultat 1-3 në kuadër të javës së njëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.

Mysafirët nga Gjilani kaluan në epërsi qysh në minutën e 5’ me anë të Astrit Fazliu, i cili realizoi nga pika e bardhë.

Llapi mbeti me një lojtar më pak në fushë në minutën e 28’, pasi Ilir Krasniqi u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Vetëm tre minuta më vonë, Hamdi Namani shënoi golin e dytë për Dritën. Llapjanët u rikthyen në lojë tek në fund të pjesës së parë. Alban Shillova shënoi për 1-2 nga penaltia, ndërkohë që Prince Balde i Dritës u ndëshkua me karton të kuq. Me rezultatin 1-2 u mbyll pjesa e parë në Merdar.

Edhe pjesa e dytë solli disa raste shënimi. Mysafirët golin e qetësisë dhe fitores e gjetën në minutën e 73’ nëpërmjet Marko Simonovski.

Me këtë fitore, Drita aktualisht renditet e dyta në tabelë me 19 pikë, ndërkohë që Llapi ka 12 sosh dhe pozicionohet në vendin e shtatë.

Në xhiron e radhës, Llapi udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin, derisa Drita pret Malishevën./Llapi.info