10 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë, pas 231 testimeve të bëra nga Instituti Kombëtari i Shëndetësisë Publike, raporton Llapi.info.

“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Mitrovicës 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Rekë), nga komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prizren dhe 1 rast Gërnçar), nga Rahoveci 2 raste”, thuhet në njoftim.

Sot më 02 maj 2020, janë shëruar edhe tridhjetë e tetë (38) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej treqind e tridhjetë e gjashtë (336) raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 02 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.875 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej tetëqind e njëzet e tre (823) raste, me gjithsej njëzet e dy (22) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së./Llapi.info