Në sheshin “Ali Ajeti” në Podujevë ka nisur aksioni për grumbullimin e ndihmave për personat e prekur nga tërmetet në Shqipëri, raporton Llapi.info.

Me këtë rast, organizatorët kanë apeluar që të solidarizohen duke ndihmuar me veshmbathje, ushqim dhe të gjëra të tjera të nevojshme.

Iniciativë të tillë për ditën e nesërme do ta nisin me mëngjes edhe tifozët e Llapit përpara stadiumit të qytetit, Zahir Pajaziti.

“Tërmeti që ka përfshirë Shqipërinë ditën e sotme na ka prekur të gjithë neve. Lutemi për të shpëtuarit nga fatkeqësia dhe shprehim ngushëllimet për të vdekurit. Ne si kryesi e “Legjendave” kemi marrur vendim që të jemi në ndihmë të kombit shqiptar, andaj nesër duke filluar në ora 10:00 të mëngjesit tek hyrja e stadiumit kush ka mundësi dhe në çfarë do mënyre që dëshiron të kontribuoj që sadopak t’ua lehtësojmë gjendjen të prekurve nga tërmeti. Njëherit njoftojmë se autobusi me gjërat dhe ndihmat e juaja do niset nesër në ora 18:00 për në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e tifo grupit llapjan.

Duhet përkujtuar se qytetarë të shumtë kanë shprehur gatishmërinë që të kontribuojnë dhe t’u dalin në ndihmë të prekurve nga tërmetet.

Ndërkohë drejt Shqipërisë janë dërguar për ndihmë edhe Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Tërmeti i sotëm në Shqipëri prej 6.3 ballë të Rihterit është më i fuqishmi në 30 vjetët e fundit./Llapi.info