Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, tha në një intervistë me “DW News” se grindja aktuale mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave dhe dokumenteve të udhëtimit duhet të zgjidhet në pajtim mes dy palëve.

“Ne kemi diplomatët e duhur atje, kemi BE-në atje dhe do të jetë detyra jonë që t’i ulim në një tryezë të përbashkët të dy palët në konflikt”, u shpreh Strack-Zimmermann.

Diskutimet për tensionet e fundjavës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ishin të mërkurën, më 3 gusht, pasdite në rend të ditës së seancës së jashtëzakonshme të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Federal të Gjermanisë.

“Lufta e Ukrainës e ka rritur ndjeshmërinë tonë për konfliktet e tjera në botë. Prandaj edhe detyra jonë në Ballkanin Perëndimor është që të kujdesemi me mjete diplomatike që të arrihet qetësia”, tha më tej Strack Zimmermann për DW-në.

Qeveria gjermane ishte shprehur e shqetësuar për situatën në Kosovë qysh në fillim të javës. Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se në rast nevoje, KFOR-i do të ndërhyjë për të vendosur paqen.

Në qershor parlamenti gjerman e zgjati edhe me një vit mandatin e pjesëmarrjes gjermane në kuadër të forcave të KFOR-it. Aktualisht në Kosovë janë të stacionuar vetëm 65 ushtarë gjermanë, por në rast nevoje kontingjenti mund të shkojë deri në 400.