Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, ka reaguar në lidhje me largimin e shitësve ambulantë nga hapësirat publike në qendër të Podujevës, transmeton Llapi.info

Në komunikatën e lëshuar nga kjo parti, thuhet se Komuna po bën dallime sa i përket zhvendosjes së shitësve ambulantë ku sipas VV-së, nuk po largohen të gjithë.

“Komuna e Podujevës pas disa aksioneve të njëpasnjëshme rreth largimit të shitësve ambulantiv nga qendra e qytetit dhe zhvendosja e tyre për tek Tregu i Gjelbër, ajo po tregohet e padrejtë dhe diskriminuese në zbatim të ligjit duke i kursyer shitësit ambulantiv të cilët kanë lidhje të forta me zyrtarë komunalë dhe po ashtu po tregohet rigoroze dhe e ashpër ndaj atyre të cilët nuk kanë ndonjë afërsi me ndonjërin nga kryetari, drejtorët apo zyrtarët tjerë komunal. Komuna duhet të ndalë këtë diskriminim dhe të zbatojë ligjin në përpikmëri”, thuhet në fillim të komunikatës.

Më tej, në komunikatë janë përmendur edhe disa emra që sipas VV-së, po diskriminojnë shitësit.

“Në bazë të informatave që kemi marrë nga disa prej shitësve ambulantiv që na kanë njoftuar për situatën që gjenden dhe për diskriminimin që po u shkaktohet nga organet komunale. Disa nga emrat e zyrtarëve komunal që po e shkaktojnë këtë diskriminim janë: Shaban Bajoku, asambleist nga LDK, sekretarja e kryetarit Agim Veliu, Hamdi Jaha, drejtor i drejtorisë së infrastrukturës etj. Ne i bëjmë thirrje organeve komunale të ndalë këtë padrejtësi dhe seleksionim për të zbatuar ligjin. Komuna është e qytetarëve dhe duhet të jetë në shërbim të tyre”, përfundon komunikata e VV-së./Llapi.info

Fotografia e Lëvizja Vetëvendosje - Qendra Besianë

Fotografia e Lëvizja Vetëvendosje - Qendra Besianë