Lokale - eSIMy

Sot janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për fëmijë.

Për këtë ka njoftuar ministri për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti.

Qeveria në detyrë më 22 maj e ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, vendim që ka nxitur reagime shkaku që në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, pensionistëve, fëmijëve, studentëve e të punësuarve në sektorin jopublik do t’u ndahen nga 100 euro. Eksponentë të partisë në pushtet akuzuan opozitën se bllokoi pakon e plotë muajin e shkuar, ndërsa opozita e interpretoi vendimin si mjet për blerje vote.

Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0, e miratuar nga kabineti qeveritar, përmban katër masa: Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale; Mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët, që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë; Për të gjithë të punësuarit, të deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1000 euro, që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, ku përfshihen sektori privat, shoqëria civile, por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat e tjera, si dhe; Për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.